Report TV - Patentat, rritet tarifa me 3 mijë lekë për të gjithë shoferët

2016-04-04 10

Të gjithë shoferet e rinj për të marrë patenten duhet të paguajë 3 mijë lekë të reja më shumë. Një urdhër i ri i firmosur nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj përcakton se vizita tek mjeku okulist për sytë dhe vizta tek mjeku për veshët do të kushtojë secila 1500 lekë.

Kjo tarifë do të paguhet vetëm për rastet kur vizitat do të bëhen për të marrë patentën. Tarifa prej 3000 lekë shtesë do të paguhet edhe nga shoferet që do të rinovojnë lejen e drejtimit.
Urdhëri i Beqajt i cili u është dërguar poliklinikave përcakton se vizitat për sytë dhe veshtë, pavarisht nëse je i siguruar apo jo do të kushtojnë 3 mijë lekë të dyja, kur ato kryhen për qëllim patente apo për të marrë leje për pëdorimin e armëve.

Më herët për të marrë patentën paguhej vetëm 1 mijë lekë mandatpagesa për vizitat mjekësore. Tashmë me dy tarifat e reja shoferët duhet të paguajën 4 mijë lekë për të marrë dokumentat e nevojshme shëndetësore për të aplikuar për patentë.

Ministria e Shëndetësisë thotë se tarifa prej 3 mijë lekë për vizitat tek mjeku i syve dhe ai i vesheve nuk paguhet për kontrollet shëndetësore të zakonshme, por vetëm në rastet kur aplikohet për leje drejtimi dhe për leje të përdorimit të armëve.

Bie në sy se kjo rritje e tarifave kur aplikohet për patentë, vjen vetëm një muaj pasi Ministria e Shëndetësisë ka ulur tarifën për vizitat tek mjeku specialist edhe për të pasiguriarit.
Rritja e tarifave përfshin vetëm vizitat tek mjeku specialist, ndërsa tarifat e reja për të marrë patentët nuk kanë ndryshuar.