Report TV - Vritet në Siri shqiptari i ISIS Almir Daci, luftonte prej 2 vitesh

2016-04-03 1

Shqiptari nga Pogradeci, Almir Daci, i cili luftonte përkrah ISIS në Siri, është vrarë sot. Ai ishte ndër militantët e ISIS që luftonte për kuazën e tyre prej dy vitesh.

Lajmi për familjarët është dhënë sot në orët e pasdites, të cilët janë njoftuar nga bashkëshortja e Dacit në Siri, ndërsa nuk dihen rrethanat në të cilat ai ka humbur jetën.
Daci u bë protagonist në qershor të vitit të kaluar, teksa përmes një videomesazhi kërcënoi shqiptarët. Daci bëri thirrje për bashkim të myslimanëve në luftë kundër armiqve të islamit dhe shtetit islamik. Sipas tij, shteti Islamik do të triumfojë dhe ata që e sulmojnë, duan ta shkatërrojnë atë.

Ndërkohë, Almir Daci akuzohej nga autoritetet shqiptare për rekrutim të personave për akte terroriste, ndërsa janë zhvilluar edhe disa procese gjyqësore në ngarkim të tij.

Deri dy vite më parë, Almir Daci ishte Imam në një fshat të Pogradecit, ndërsa më pas ishte larguar drejt Sirisë, bashkë me familjen e tij, gruan dhe fëmijët.

Daci njihej ndryshe me emrin Al Albani, ndërsa luftonte përkrah shtetit Islamik, ISIS.

Nuk dihet asgjë për fatin e familjes së tij në Siri.