Report TV - Kurbin, vritet me armë zjarri një 50-vjeçar, në kërkim autori

2016-04-02 1

KURBIN- Një 50-vjeçar është vrarë me armë zjarri në fshatin Gallatë të Kurbinit, ndërsa policia ka identifikuar autorin e ngjarjes. Krimi i rëndë është shënuar rreth orës 15:00 në qendër të fshatit, ndërsa viktime ka mbetur Mark Ndreca.

Nga hetimet e para është bërë e ditur se ai është qëlluar me pistoletë nga 69-vjeçari Tom Lala nga fshati Malbardhë i Kurbinit. Pasi kanë debatuar në qendër të fshatit autori ka marrë armën në automjetin e tij, duke qëlluar dy herë në drejtim të 50-vjeçarit.

Ai nuk mundi t'u mbijetojë plagëve të marra në kokë dhe gjoks, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Pasi ka kryer krimin atori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, mdërsa dyshohet të jetë fshehur në pyll.

Kanë qenë banorë të zonës të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë në lidhje me ngjarjen, por distanca e largët e fshatit me qendrën e qytetit dhe terreni i thyer malor ka bërë që uniformat blu të mbërrijnë me vonesë, duke i dhënë mundësi autorit për t'u larguar.

Nga hetimet e para është bërë e ditur se konflikti midis autorit dhe viktimës ka ndodhur për çështje pronësie. Rruga drejt Hidrocentralit që është ndërtuar në Vinjoll të Kurbinit është bërë shkak për konfliktin e vazhdueshëm mes autorit dhe viktimës.