TIRANË - 23-vjeçarja Desara Mancellari nga qyteti i Tiranës i ka vënë zjarrin 4 automjeteve në rrugën "Kokonozi". Report Tv siguron pamjet e momenteve të djegies së 4 automjeteve në pronësi të familjes së Filip Papajanit mbrëmjen e djeshme në Kryeqytet.
Kjo zjarrëvënie nga hetimet e policisë rezulton se është shkaktuar nga 23-vjeçarja Desara Mancellari në mënyrë të qëllimshme si shenjë hakmarrje nga ndarja e një jave më parë me Filipin.
Në dëshminë e saj para uniformave blu mësohet se e reja ka pranuar autorësinë e krimit duke deklaruar se qëllim kishte djegien e makinës së Filipit dhe jo prindërve të saj.
Zbulimi i Desarës është bërë nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë në pallatin ku banon ish i dashuri i saj Filipi Papajani.
Ndërkohë pamjet që shihni i përkasin automjeteve të shkrumbuara nga zjarri dhe për këtë pasojë policia thotë se ka vënë nën akuzë për shkatërrim të pronës me zjarr 23 vjeçaren. Mësohet se Desara vajza që shihni në foto është ndarë pak kohë më parë nga Filipi dhe irritimi për këtë ndarje e ka shtyrë atë të kryej zjarrvënien. Gjatë deklarimeve në polici, ajo është shprehur se shkak për ndarjen është bërë konflikti me familjarët e ish-të dashurit. Report Tv ka kontaktuar me familjen Papajani e cila nuk ka pranuar të intervistohet për versionin e saj, ndërsa jashtë kamerave shprehet se shkak për ndarjen nuk ka qenë mos pranimi i të dashurës së djalit por tradhtia e saj dhe ndarjen e kanë vendosur të rinjtë.
Ndër mjetet e djegura janë 2 vetura dhe dy kamionçina, ndërsa ngjarja është shënuar orët e para të mëngjesit në zonën e njohur si "Kodra e Priftit" në kryeqytet në rrugën "Kokonozi".