Report TV - Pas Strazimirit,gjyqtarë e prokurorë lënë armët, afati deri më 10 Prill

2016-04-02 0

Pas shkresës drejtuar deputetit demokrat Gent Strazimiri për dorëzimin e armës policia e shtetit i kërkon gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëzojnë dhe ata armët.

ReportTV ka siguruar një kopje të shkresës shpërndarë gjykatësve në kryeqytet ku më 25 Mars 2013 komisariati numër dy i njofton për dorëzimin e armëve.

Sipas kësaj shkrese gjyqtarët kanë afat deri më datë 10 Prill për dorëzimin vullnetarisht të armës marrë më parë me leje dhe në të kundërt ata do të procedohen sipas penaliteteve që parashikon ligji i ri 74/2014.

Burime nga policia e Tiranës i thanë ReportTv se që pas denoncimit publik në media të deputetit Gent Strazimiri me armë në polici janë dorëzuar rreth 70 armë me leje vetëm në kryeqytet.

Deputeti Strazimiri u kallëzua në polici për akuzën e armëmbajtjes pa leje në protestën e opozitës tek parku i liqenit ndërsa pas 5 ditësh prokuroria ende nuk ka marrë një vendim nëse do ta ndjek penalisht, pushoj apo marrë masë administrative me gjobë ndaj tij.

Po ashtu, Ministria e Brendshme i ka bërë kërkesë 350 zyrtarëve që për shkak të detyrës janë pajisur me armë zjarri që ti dorëzojnë ato.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Ministria e brendshme thotë se, deri në datë 31.03.2016 janë grumbulluar 168 armë dhe kanë mbetur pa grumbulluar 182 armë zjarri (pistoleta).

Po sipas këtij dikasteri, institucionet më problematike në dorëzimin e armëve të zjarrit janë gjyqtarët e prokurorët.