Nga 1 janari 2017, në skemën e sigurimit të depozitave do të përfshihen 120 mijë llogari të reja bankare. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi ndryshimet në ligjin përkatës duke bërë të mundur që në skemë të përfshihen edhe depozitat e bizneseve.
Me ndryshimet ligjore të propozuara parashikohet përfshirja në skemën e sigurimit edhe të depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare, të cilat përbëjnë 13% të depozitave të sistemit dhe 6% të numrit të depozituesve.
Aktualisht, depozitat e siguruara të individëve në sistemin bankar kapin vlerën 573.1 miliardë lekë.
Relatori i projektligjit, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Koçi, tha se këto ndryshime rrisin bazën e depozituesve të mbrojtur nga skema, si dhe rritjes së besimit të tyre në skemën e sigurimit të depozitave.
Ashtu si për individët, depozitat e bizneseve do të jenë të siguruara në masën 2,5 milionë lekë, në rast të falimentimit të bankës ku janë futur.