Report TV - Krujë, revokohen 3 leje mjedisore për guroret, prishen 6 furra gëlqereje

2016-03-30 4

Gjashtë furra gëlqereje që kanë rezultuar të paligjshme janë prishur së fundmi nga fadromat në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, ndërsa janë revokuar lejet mjedisore për 3 gurore, për shkeljen e kushteve mjedisore.

Prej disa ditësh, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve ka nisur kontrollet në impiantet e prodhimit dhe përpunimit të materialeve inerte në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës.

Gjatë këtij aksioni, bëhet me dije se janë identifikuar 20 furra gëlqereje të paligjshme dhe se 6 prej tyre janë prishur deri më sot. ?Vijon puna intensive për prishjen e furrave të gëlqeres deri në mbylljen e plotë të tyre?, bëjnë me dije burime zyrtare nga ISHMP.

Mësohet se janë revokuar gjithashtu lejet mjedisore për aktivitetin e 3 guroreve për shkeljen e kushteve mjedisore gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Kreu i ISHMP-së, Ergys Agasi shprehet se ISHMP do të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj ligjore, në sigurimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm, si dhe do të penalizojë me ndërshkime maksimale të gjithë ata individë apo subjekte që do të ushtrojnë aktivitet në kundravajtje me ligjet dhe normat mjedisore.

Gjithashtu, ISHMP ?siguron se vazhdon koordinimi dhe bashkëpunimi i plotë, me të gjitha institucionet dhe strukturat e tjera shtetërore të ngarkuara me ligj, si INUK dhe Policia e Shtetit apo edhe institucionet rajonale apo vendore, për të mundësuar ndalimin e ushtrimit të çdo lloj aktiviteti të paligjshëm?.