Report TV - Gjobë 100 mijë euro librashitësit pranga pas 3 vitesh Hysenagollit

2016-03-29 2

Pas 3 vitesh Policia e Tiranës mundi të arrestjë të kërkuarin Ilir Hysenagolli, shpallur në kërkim për akuzën ?Shtrëngim me anë të kanosjes për përfitim?, për të cilën Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 5 vite burg.

Hysenagolli, është dënuar nga gjykata pasi ka kërcënuar dhe ka kanosur Fabjan Shabën, tregtar librash fetarë, kryesisht myslimanë. Shaba njihet njëkohësisht si trashëgimtar i madh pronash të patundshme në Yzberisht, në të cilat janë ndërtuar objekte banimi dhe tregtare.

Hysenagolli i cili njihej mjaft mirë me Shabën, ka shfrytëzuar si rrethanë të gjobëvënies së tij, faktin se Shaba, ishte martuar me gruan e divorcuar të një besimtari mysliman.

Ky i fundit herë pas here kishte kërcënuar Shabën që të ndahej nga ish- gruaja e tij, deri sa tregtari Shaba vendosi ta denonconte dhe policia arrestoi ish-bashkëshortin.

Në këto rrethana për të krijuar mendimin se gjoba mund t?i ishte vënë nga ky person, Ilir Hysenagolli, dërgoi një letër me 31 gusht të vitit 2013, nëpërmjet taksistit Albert Zerani.

Ky i fundit ia kishte lënë letrën në xham. Pasi ka lexuar letrën në të cilën persona të paidentifikuar i kërkonin 100 mijë euro, tregtari i librave fetarë denoncoi në polici rastin.

Dyshimi i Shabës, ishte se kurthin mund t?ia kishte ngritur ish- burri i gruas me të cilën Shaba tashmë ishte martuar. Pas hetimit të kryer policia konfirmoi se ish- burri i gruas me të cilën ishte martuar tashmë Shaba, nuk ishte përfshirë në këtë situatë.

Madje hetuesit identifikuan si të dyshuar taksitin Zerani, një person tjetër si dhe shpallën në kërkim Hysenagollin.

Pas hetimit gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda, dënoi Hysenagollin, me 5 vite burg, ndërsa Zeranin të dyshuar si bashkëpunëtor me periudhën e parabugrimit, rreth një vit e gjysëm. Ndërkaq dje policia arrestoi veç Hysenagollit, edhe Arben Pashën, të dyshuar si përkrahës të autorit të krimit.