Report TV - Basha: Policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve në Komisariat

2016-03-28 0

Prej tre orësh demokratët kanë zhvendosur protestën përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku janë shoqëruar rreth 30 protestues, mes tyre edhe kryetari i degës së PD për njësinë nr.5, Ndriçim Babasi.

Të ndaluarit janë vizituar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili është njohur me gjendjen e tyre. Pas takimit, Basha tha se ajo që ndodhi sot te Liqeni, është dëshmi se regjimi i Edi Ramës është antikushtetues dhe se i ka ditët të numëruara.

Basha foli me altoparlant përpara mediave, duke theksuar se Policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve të PD edhe brenda në komisariat.

"Sot u provua se regjimi i Ramës është antikushtetues dhe antiligjor. Është regjim i dhunës. Sot u provua se qytetarët shqiptarë janë në anën e ligjit dhe të Kushtetutës. Sot, krimi dhe regjimi oligarkik janë përballë nesh. Në një përpjekje për t'iu kundërvënë një të drejte elementare, protestës, në një përpjekje për t'i shërbyer antiligjit, për të përdorur dhunën shtazarake. Sot regjimi i Ramës mobilizoi efektivë policie të armatosur deri në dhëmbë. Këta mendojnë se me anë të dhunës mund të instalojnë regjimin oligarkik në Shqipëri. Ne do të luftojmë për shtetin ligjor, për demokracinë dhe ne do të fitojmë. Një regjim bandit i ka orët të numëruara. Regjimi tregoi fytyrën e vërtetë para Europës, Amerikës. Edi Rama duhet ta dijë se sot ka filluar numërimi mbrapsht për të", u shpreh Basha.

Kryetari demokrat theksoi se "dita e madhe e pranverës së demokracisë po afron", duke paralajmëruar kështu protesta në të gjithë vendin.

"Nuk e ndalon dot Edi Rama, nuk e ndalon dot krimi, nuk e ndalon dot oligarkia", theksoi Basha.