Të nxjerrësh mësime nga e shkuara, sidomos kur bëhet fjalë për ndërhyrje ne Kushtetutën e vendit. Këtë mesazh ka dashur të përcjellë kryetari i Parlamentit Ilir Meta aleatit të tij Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha teksa fliste për reformën në sistemin gjyqësor. Sipas Metës propozimet e LSI-së adresuar komisionit të Venecias synojnë të përmirësojnë draftin e paraqitur nga ekspertët.
?Shpreh keqardhjen për deformimet që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008, të cilat i ndiejmë edhe sot. I ndjen edhe sistemi i drejtësisë edhe cenimi i parimit të kontrollit dhe të balancës midis pushteteve dhe që u bënë brenda natës dhe pa u konsultuar me Komisionin e Venecias. Dhe në këtë drejtim kam shprehur mbështetjen tonë më të plotë për të realizuar reformën në sistemin e drejtësisë për arsye, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ky është një sistem, që nuk ka funksionuar sipas pritshmërie. Por jo vetëm kaq, ka një përgjegjësi serioze për përkeqësimin e situatës lidhur me zbatimin e ligjit në vend, me luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe e ka të domosdoshme që të ndryshojë në mënyrë mjaft solide dhe për këtë padyshim që është e nevojshme të bëhen edhe ndërhyrje në Kushtetutë. Kjo është arsyeja kryesore pse është vënë në lëvizje edhe Komisioni i Venecias dhe ky është një proces i hapur. Vetëm duke qenë i tillë do të jetë edhe i qëndrueshëm dhe do t?i qëndrojë kohës në mënyrë që të mos detyrohemi të bëjmë përsëri ndryshime në Kushtetutë, jo për shkak se Kushtetuta kishte probleme. Përkundrazi e theksoj edhe një herë, Kushtetua jonë ishte një nga Kushtetutat më demokratike në Europë, por për shkak të individëve, të njerëzve, të cilët deformojnë sistemin dhe nuk respektojnë dhe parimet e Kushtetutës?, tha Meta.
Meta i ka dhënë përgjigje zërave që qarkullojnë për një sistem të ri zgjedhor si ai Prim. Sipas tij në axhendën e LSI është dekriminalizimi duke lënë të kuptohet se ndryshimet në sistemin elektoral i sheh të largëta.
?Dua t?ju sqaroj se Lëvizja Socialiste për Integrim ka një axhendë të qartë të sajën që mendon se është edhe axhenda kryesore e vendit dhe e reformave të tij. Dhe pika e parë në këtë axhendë është t?i jepet fund procesit të dekriminalizimit, sepse po dëmtohet në mënyrë të padrejtë imazhi i vendit. Si Kryetar i Kuvendit mund të themi që po dëmtohet edhe imazhi i shumicës dërmuese të deputeteve dhe të deputetëve, të cilët nuk e meritojnë të karakterizohen në përgjithësi me këtë term, që nuk ka asnjë lidhje jo vetëm me deputetët, por edhe me vetë qytetarët më të thjeshtë të vendit tonë. Në këtë drejtim e gjykoj edhe një herë të rëndësishme përqendrimin e energjive për të mbyllur këtë proces dhe kjo ishte edhe një nga çështjet që u diskutua edhe me z. Pitella, pasi kjo do të na japi të gjitha mundësitë që të përqendrohemi me të gjithë energjitë te reforma në fushën e drejtësisë dhe më pas të ecim drejtë çeljes së negociatave?, u shpreh kryetari i Kuvendit.