Report TV - Klodeta Dibra: Prioriteti im, studenti ballafaqim sipas modelit amerikan

2016-03-25 8

Klodeta Dibra, prej 8 vitesh mban detyrën e Dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ndërsa ka vendosur të bëhet pjesë e një gare të rëndësishme, atë për Rektorin e ri të universitetit më të madh në vend.

E ftuar në emisionin "45 minuta" të Denis Mingës në Report TV, Dibra tha se vendosi të bëhej pjesë e procesit për t'i ofruar Universitetit një vizion ndryshe. Në qendër të platformës së saj është studenti, i cili duhet të gjallërojë universitetin dhe jo kafenetë rreth tij. "Nëse do të zgjidhesha Rektore e Universitetit të Tiranës, prioriteti im do të jenë studentët, që të rinjtë të gjallojnë në universitete. Sot studentët gjallojnë nëpër kafenetë rreth e rrotull universiteteve dhe jo në korridoret e universiteteve", u shpreh Dibra.

Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja shprehu përsëri rezerva për ligjin e Arsimit të Lartë, duke kërkuar amendimin e tij, në pikat e kontestuara nga trupa pedagogjike. Tarifat e larta të studimeve, Dibra tha se janë shqetësuese.

Sipas saj, tarifat që duhet të paguajnë studentët, duhet të jenë të moderuara, në përputhje me të ardhurat mesatare të familjeve shqiptare. Ajo theksoi gjithashtu se një problem më vete për Universitetin e Tiranës, është mungesa e një kampusi universitar.

Dibra ngriti edhe shqetësimin e bllokimit të doktoraturave nga Ministria e Arsimit, duke e konsideruar si antiligjore dhe antikushtetuese njëkohësisht.

Nëse do të zgjidhej Rektore e Universitetit të Tiranës, Klodeta Dibra do të ishte e para femër në këtë pozicion.