Presidenti Bujar Nishani ka reaguar sot pas deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk mund të pezullojë aktet e Kuvendit, duke iu referuar ligjit të Pronave.
Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga Presidenca, kreu i shtetit e cilëson qëndrimin e Manjanit, si presion nga ana e Qeverisë Shqiptare ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, presioni politik i një qeverie ndaj Gjykatës Kushtetuese të vendit është një akt i paprecedent në historinë e pluralizmit shqiptar. "Presidenti i Republikës si palë ankimuese, i kërkon Gjykatës Kushtetuese të mbrojë Kushtetutën e vendit dhe standardet e shtetit të së drejtës", thuhet në reagimin e Nishanit.
Kreu i Shtetit thekson gjithashtu se ligji për kthimin dhe kompensimin e Pronës cenon të drejtat e shqiptarëve si dhe do të rrisë faturën e ndëshkimeve për qeverinë shqiptare nga Gjykata e Strasburgut.
"Ligji aktual dëmton rëndë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, do ta thellojë konfliktin midis individit dhe shtetit e për rrjedhojë do vijojnë penalizimet nga ana e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut", thuhet ndër të tjera në reagimin e Presidentit Bujar Nishani.