Report TV - "Terrorizmi", Klosi: Shqipëria e rrezikuar, riorganizim strukturave

2016-03-23 0

Ish kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, shprehet se Shqipëria është e rrezikuar nga sulmet terroriste, pas goditjes një ditë më parë në Bruksel, 5- muaj nga atentatet e Parisit me 130 të vdekur. I ftuar në studion e Report TV, Klosi tha se është papërgjegjshmëri të thuhet e kundërta në këtë situatë, apo të aludohet me shumicën myslimane në vend si faktor imun ndaj goditjes së terrorizmit.

Sipas tij, terrorizmi ka vrarë edhe brenda xhamive të Irakut, çka do të thotë se ata nuk kanë faktor fetar në qëllimet e tyre.
"Shqipëria është e rrezikuar. Ne kemi ushtarë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, në Irak, pra është e rrezikuar. Ata janë të interesuar të bëjnë bujë dhe këtë e bëjnë në vendet e mëdha, në aeroporte ku faktori i sigurisë kërkohet të jetë më i lartë dhe ata thonë se ne e thyejmë, jemi profesionistë. Mbase në Shqipëri kjo nuk jep efektin që bën në Paris. Por kjo nuk na bën të jemi të qetë, përsa kohë jemi pjesë e NATO-s", u shpreh Klosi.

Ai theksoi se për t'i paraprirë çfarëdolloj rreziku, Policia dhe Ushtria duhet të merren me këtë çështje. "Duhet një riorganizim i strukturave të Sigurisë që të jemi të përgatitur", tha ai.

Shqiptarët e kthyer nga ISIS, Klosi tha se duhen mbajtur në vëzhgim.

Ndërkaq, për ish kreun e SHIK, atentatet në Bruksel nuk erdhën se dështuan shërbimet e Inteligjencës belge. Sipas tij, sulmet terroriste janë të vështira të ndalen, përsa kohë mënyra e goditjes së tyre është e paparashikueshme si dhe janë të stërvitur e të edukuar për këtë punë.

Gjithashtu, ai thekson se NATO dhe BE, duhet të ndërmarrin sulme ushtarake në terren për të asgjësuar militantët e ISIS.

Pas këtyre sulmeve, mendoni se ka dështuar shërbimi i inteligjencës belge?
Nuk mendoj kështu. Këta janë individë që kanë pranuar të vetëflijohen. S'është aq e thjeshtë të merresh me këta. Se janë specialistë, të stërvitur, të edukuar për këtë punë. Edukimi i tyre fillon që fëmijë. Problemi është shumë i vështirë. Dhe s'mund të thuash se është defekt i vetëm shoqërive informative. është e gjithë Europa e infektuar në këtë problem. Franca i ka pranuar këta, i ka pranuar edhe Belgjika. Grupet terroriste nuk janë i gjithë komuniteti që ka ardhur nga Afrika Veriore dhe sot jetojnë në Belgjikë e Francë.

Free Traffic Exchange