Report TV - "Prenga", dëshmitë e policëve në gjyq: Pati të shtëna, kamerat nuk punuan

2016-03-23 0

Katër oficerë Policie të Komisariatit të Kurbinit, Gjon Kola, Lutfi Hima, Agim Vathaj, përfshirë dhe Shefin e Rendit të Komisariatit Kurbin, Ylli Vata, mbrëmjen e 4 shtatorit kanë qenë të parët që janë njoftuar për konfliktin mes familjes Cali e Prenga në Lagunën e Patokut.

Këta oficerë policie dëshmuan këtë të mërkurë në Gjykatën e Tiranës dhe sipas tyre atë mbrëmje rrethimi i jashtëm i komisariatit nuk ka patur drita dhe kamerat e sigurisë nuk kanë punuar dhe për herë të parë ata hodhën dritë mbi faktin se atë mbrëmje janë përdorur para komisariatit armë pistoletë dhe automatik kallashnikov.

Kjo përgjigje është dhënë në sinkron nga katër efektivët e policisë të cilët të pyetur nëse kanë mundur të shohin deputetin Armando Prenga atë mbrëmjë të përfshirë në konflikt janë përgjigjur ""Jo", s'e kemi fiksuar Armando Prengën".

Efektivi Lutfi Hima i cili ka shpjeguar sherrin e ndodhur pesë metra larg derës së komisariatit i pyetur nga Gjykata se pse s'ka përdorur armën e shërbimit për të shpërndarë personat që po konfliktoheshin u shpreh, ?e nderuar gjykatë, u krijua situatë tepër e vështirë ku u futa mes plumbave dhe në këtë moment u stresova aq shumë sa nuk arrita të përdor armën?.

Këta dëshmitarë të thirrur nga prokuroria shpjeguan se në kthim nga Laguna e Patokut drejt komisariatit janë ndalur dhe në urën e Fushë Kuqes ku Gjok Cali pretendon se është qëlluar me armë nga Armando Prenga, por ata s'kanë mundur të gjenin gëzhojnë.

Mëngjesin e 5 shtatorit të vitit të kaluar, deputeti Armando Prenga është arrestuar mëngjesin e 5 shtatorit 2015, nën akuzën e ?plagosjes së rëndë, me dashje?, ?Armëmbajtja pa leje? dhe ?Kanosje serioze për vrasje?.

Ai ishte njëri nga 6 të arrestuarit në flagrancë pas një përplasjeje me armë zjarri e mjete të ftohta mes disa pjesëtarëve të familjes Cali dhe familjes Prenga, një konflikt ky për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, në Kurbin.