Ish-efektivi i policisë së shtetit, Ajet Zeqaj i vrarë me 16 mars në kryeqytet, pritej të largohej në drejtim të SHBA-ve, vetëm pak ditë më vonë.
Hetuesit kanë gjetur atij një pasaportë me emrin e tij në të cilën kishte një vizë amerikane. Policia tashmë po verifikon lidhje të tij edhe përtej Atlantikut, ndërsa vijojnë të hetohen problemet që mund të ketë pasur në Francë, apo konfliktet e borxheve në Shqipëri.
Zeqaj dyshohet se mund të jetë vrarë, pak kohë përpara se ai të nisej në drejtim të SHBA-së. Një fakti i tillë ka bërë që policia të kërkojë motivet e aplikimit për vizë, si dhe destinacionin e mundshëm të tij në SHBA dhe lidhjet e tij në këtë vend.
Hetuesit e policisë së kryeqytetit kanë mundur të marrin dëshminë e E.Kasajt, nipit të ish-policit të vrarë të mërkurën e 16 marsit të këtij viti në kryeqytet. Ai iu ka pohuar hetuesve se dinte se daja i tij, Ajeti kishte punuar në Lilë të Francës, si bodigard dhe roje sigurie në një supermarket. Por, se nuk kishte shumë dijeni mbi aktivitetin privat të tij.
Një dëshmi e rëndësishme për hetuesit pritet të jetë ajo e motrës së tij, L. Kasa, tek e cila Zeqaj kishte banuar gjatë muajit të fundit pas mbërritjes nga Franca. Ndërkaq, hetuesit e policisë, janë duke kërkuar lidhje shoqërore të Zeqajt, qoftë në Tiranë, qoftë në Francë. Lidhje të tilla, mund të kishin informacione rreth aktivitetit të Zeqajt në Shqipëri, në SHBA, apo edhe në Lilë, ku ka jetuar Zeqaj.
Dyshimet e policisë janë se ish-efektivi i policisë, Zeqaj, mund të jetë përfshirë në aktivitet të paligjshme në Francë. Një pistë tjetër për hetuesit mbetet edhe ajo e ndonjë konflikti të mundshëm për shkak të problemeve me borxhet që dyshohet se mund të ketë pasur Zeqaj në Shqipëri.