Trafiku i drogës në territorin shqiptar me avionë rrezikon të jetë rikthyer. Në orët e para të mëngjesit të 20 marsit Policia e Shtetit ka marrë informacion se në zonën e fushave të fshatit Akërni në Vlorë, po lëvizte në hapësirën tonë ajrore një avion i vogël, mbi të cilin ka dyshime se mund të transportonte lëndë narkotike.
Policia e Vlorës, e Kufirit dhe shërbimet e Delta Forcë nisën një operacion për të identifikuar avionin e për ta ndalur atë, ndërsa u kërkua edhe bashkëpunimi i homologëve italianë.
Pavarësisht informacionit të marrë në rrugë operative, deri më tani policia nuk mundi të gjejë vendndodhjen e avionit pasi ai u largua nga hapësira ajrore shqiptare, por për rastin në fjalë janë shoqëruar tre persona me inicialet N.M, A.M dhe K.M me dyshimin se janë të lidhur në këtë veprimtari kriminale.