MILOT - Një aksident i rëndë është shënuar në Fushë-Milot ku një makinë e drejtuar nga një paraplegjik është futur me shpejtësi mes përmes tregut të gjësë së gjallë dhe perimeve që hapet fundjavave duke lënë dy të vdekur dhe pesë persona të tjerë të plagosur.
Viktima të këtij aksidenti mbetën tregtari Llesh Marku 70 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Dila Marku 68-vjeçare. Ajo ndërroi jetë në spitalin e Lezhës ku nuk mundi t'i mbijetojë plagëve të shumta që mori nga goditja e makinës. Të plagosurit në Spitalin e Traumës janë: Zef Prenga 64 vjeç, Dave Prenga 60 vjeç, Pashk Prendi 58 vjeç, Angjelin Prendi 33 vjeç, Albina Kuqi 38 vjeç. Në një rrëfim për Report TV, Riza Kuqi thotë se kishte dalë bashkë me gruan për të blerë mish duke qenë se afrojnë pashkët.
Burime nga policia thanë për Shqiptarja.com se drejtuesi i makinës është Pashk Vokrri 62-vjeçar, i cili rezulton se është person me aftësi të kufizuara fizike. Ai është shoqëruar në polici, ndërsa mësohet se drejonte një makinë të modifikuar për invalidë, një Benz me targë AA 120 NI.
Sipas dëshmitarëve, Vokrri banues në Pllanë të Lezhës ka ardhur me shpejtësi duke marrë para turmën e njerëzve dhe ka ndaluar në një dyqan mishi.
Paraprakisht dyshohet që autori të ketë humbur kontrollin e automjetit, dhe po punohet nga efektivët e policisë për të mësuar nëse bëhet fjalë për ndonjë defekt teknik të automjetit.
Por ka dyshime se, shoferi pedalen e frenave e ka modifikuar me një mjet tip levë që e shtypte dhe frenonte. Ndaj dyshohet se ka ngatërruar gazin me frenat.
Automjeti është targuar përpara 20 ditësh.