Report TV - Peleshi për Report TV: Mendimet e ndryshme nuk janë përçarje e partisë

2016-03-19 0

TIRANE - Zëvendëskryeministri Niko Peleshi nuk i sheh si përçarje mendimet ndryshe që shfaq në Partinë Socialiste deputeti Ben Blushi, apo zëra të tjerë të kësaj partie. Në një intervistë të shkurtër për Report TV para nisjes së Kongresit, Peleshi dha detaje mbi zhvillimin e tij të gjatë, ndërsa vuri theksin në ndryshimet e Statutit të PS-së që pritet të miratohen këtë të shtunë, e ku një ndër pikat kryesore është edhe saktësimi i çështjes së mandatit të kryetarit të PS-së kur ai është kryeministër, si në rastin e Edi Ramës.

"Jam i bindur që do i plotësojmë pritshmëritë për një kongres të suksesshëm. Pjesa e parë e Kongresit do të jetë shumë e gjatë, gjatë gjithë paradites, sepse janë disa fjalime të përcaktuara, apo fjalë që do të kërkohen spontanisht nga delegatët. Janë rreth 20 fjalime. Do të artikulojmë një vizion të ri për mandatin tjetër, sepse vitin tjetër kemi zgjedhjet, vizioni i mëtejshëm për Shqipërinë pritet të artikulohet sot.

Unë nuk i konsideroj si përçarje mendimet e ndryshme, sado të ashpra të duken ato, janë pjesë e demokracisë, do të marrë fjalën kushdo që do ta kërkojë atë. Pjesa tjetër do të jetë për diskutimet e statutit, drafti final do t'i paraqitet kongresit, do të hapet për diskutime dhe do të miratohet sot.

Referendumi erdhi si një propozim dhe është kongresi ai që do të vendosë nëse do të shkojë më tepër. Një nga pikat që del e nevojshme të saktësohet Statuti, është çështja e mandatit të kryetarit të PS-së kur kryetari është në krye të qeverisë", tha Peleshi.

Free Traffic Exchange