TIRANE - Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, njëherësh koordinatore e PS-së tha se e sheh me entuziasëm prezencën e madhe të të rinjve në Kongresin e partisë. Ajo tha se në PS nuk ka përçarje tashmë që partia është në pushtet, pasi vendi është duke u qeverisur mirë. Në një prononcim për Report TV para Kongretit të PS-së, Kodheli tha se më i rëndësishëm është procesi sesa rezultati.
"Është e rëndësishme që mbarëvajtja e punës sonë të dalë me rezultate të frytshme. Jam më shumë se sa e surprizuar, në ditët e sotme në gjykimin tim e gjykoja gabim rininë të mefshtë duke u marrë gjithë ditën me Facebook-un, por e kisha gabim ata janë të angazhuar. Më entuzizmoi prezenca e tyre, dhe veçanërisht e grave që janë ndoshta pjesa më e mirë e shoqërisë. PS është e tillë, debati ka qenë gjithmonë prezent, kjo është demokracia. Kongresi thjesht dhe vetëm do të jetë një festë e madhe për partinë politike më të madhe në vend. Gjithsekush ka të drejtën të japë një propozim, siç është referendumi. Procesi është më i rëndësishëm sesa rezultati për mua. Pushteti nuk ndan nëse qeveriset mirë", u shpreh Kodheli.