Kongresi i PS-së aq shumë i debatuar pritet të zgjasë gjatë gjithë ditës së shtunë. Ai do të moderohet në pjesën më të madhe nga taulant balla dhe Gramoz Ruçi. Në rend dite janë parashikuar 6 pika, të cilat nisur nga ecuria e debatit, nuk përjashtohet dhe të ndryshojnë. Për të drejtuar secilën nga 6 temat e rendit të ditës, përfaqësia e delegatëve do të zgjedhë 6 presidiumet që do të orientojnë debatin ose votimin sipas rastit.
Krahas kryeministrit, kryetarit të grupit Gramoz Ruçi për anëtarësimet e reja në parti, kreut të komisionit të garancive statutore dhe Fatmir Xhafajt që do ët prezantojë statutin e ri të partisë, në Kongres do të flasin pothuajse të gjithë ministrat dhe deputetët. Giani Pitella dhe Massimo Da Lema së bashku me ndërkombëtarë të tjerë do të mbajnë gjithashtu një fjalim. Ndërsa Toni Blair dhe Martin Schulz do të jenë të pranishëm nëpërmjet video mesazheve.
Ftesë për të qenë i pranishëm i është dërguar dhe ish kryeministrit dhe ish kryesocialistit Nano, por nuk dihet nëse ky i fundit do ta marrë në konsideratë, si ish presidentet Moisiu dhe Mejdani. Në kongres do të votohet për 175 anëtarët e rinj të asamblesë kombëtare dhe 9 anëtarët e komisionit të garancive statutore.
Ndryshe nga herët e tjera, çdo delegate do të votojë vetëm për anëtarët e qarkut të tij. Delegatët do të përcaktojnë dhe nëse kryesocialisti do të kalojë ose jo në referendum për mandatin e tij, brenda 30 ditëve nga kongresi.
Të drejtën e votës përveç delegatëve të zgjedhur për shkak të zgjedhjeve të brendshme ët partisë e kanë dhe 620 të tjerë që e përfitojnë atë për shkak të postit që mbajnë si deputetët, kryetar partie e bashkie dhe ish president.