Report TV - Basha: Do ketë Reformë në Drejtësi e zgjedhje të lira dhe të ndershme‏

2016-03-17 0

Lulzim Basha, kryetari i partisë Demokratike, teksa vijon vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kongresmenë amerikanë, ka theksuar sot se, nukka asnjë dilemë dhe se në Shqipëri do të ketë edhe Reformë në Drejtësi dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë takimit me konkgresmenin Dana Rohrabacher, ku ka theksuar se, ka marrë mbështetjen e kongresmenëve amerikanë për sfidën që ka sot përpara jo vetëm Partia Demokratike por çdo qytetar shqiptar, pastrimi i politikës nga të inkriminuarit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme si dhe reforma në drejtësi.

"Në takimet me anëtarë të Kongresit Amerikan, me përfaqësues të lartë të administratës amerikane është diskutuar mbi shqetësimet për zhvillimet në Shqipëri e në veçanti sa i përket çështjes së dekriminalizimit. Implementimit të ligjit të dekriminalizimit dhe nxjerrjes jashtë nga politika të njerëzve me rekorde të tmerrshme kriminale që u sollën aty nga Edi Rama. Si dhe për sfidën e Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe aprovimin e reformës në drejtësi sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duke i hapur rrugë dialogut politik, kompromisit dhe konsensusit politik, por gjithmonë bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Po kështu në këto takime e në veçanti në takimet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë u shpreh mirënjohje për rolin e Partisë Demokratike, si dje në qeverisje ashtu edhe sot në opozitë sa i përket sfidave të sigurisë globale për të cilat Shqipëria ka dhënë dhe duhet të vazhdojë të japë kontributin e saj. Pa dyshim kontributi më kryesor që Shqipëria mund të japë dhe duhet të japë është siguria e saj duke garantuar një siguri funksionale, duke garantuar shtetin e të drejtës, duke garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke implementuar ligjin për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi.Dhe kjo nuk është një çështje zgjedhjesh: O reformën në drejtësi ? O zgjedhje të lira e të ndershme? Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reformën në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë, para ligjit zyrtarët e korruptuar. Për të vënë para ligjit kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkërisht shkelin ligjin duke i imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar për vete me privilegjet e tyre, me korrupsionin e tyre mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën.Dhe nga ana tjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme për të vënë para përgjegjësisë keqqeverisjen e këtyre tre viteve. Pra, dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. Edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është mesazhi që dua të ndaj sot nga Uashingtoni dhe për të cilën kam marrë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë dhe të përfaqësuesve të tyre në Kongresin Amerikan", theksoi Basha.