TIRANE - Ish-polici Ajet Zeqaj i cili u ekzekutua me silenciator mbrëmjen e së mërkurës në zonën e ish-bllokut në Tiranë, kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Franca, ku ishte larguar prej vitit 2007 kur hoqi dorë nga policia. Një nga pistat e policisë për hetimin e atentatit është përqendruar pikërisht mbi ndonjë aktivitet të mundshëm kriminal të tij në Francë.
Burime nga policia e Tiranës thanë për Report TV, se 35-vjeçari është qëlluar pas koke, ndërsa ndaj tij janë lëshuar 6 plumba ndërsa pas krimit autori, i veshur me të zeza dhe me kapele në kokë, ka lënë në vendngjarje edhe armën me të cilën i mori jetën ish-efektivit të sapo kthyer në atdhe. Arma e tipit Berreta është duke u ekzaminuar nëse në të ka gjurmë gishtërinjsh.
Ndërsa blutë e kryeqytetit ende nuk kanë zbardhur shkaqet e këtij ekzekutimi, burime nga policia thanë se një tjetër pistë hetimore është edhe ajo e ndonjë konflikti të mundshëm nga të afërmit e ish-bashkëshortes së Ajet Zeqajt. Ai ishte divorcuar para se të ikte nga vendi ku ka lidhur marrëdhënie dashurie me një punonjëse të ambasadës franceze në Tiranë, me të cilën është larguar më tej në Francë, në qytetin Lilë ku dhe jetonte prej 8 vitesh. Nga rrethanat si u zhvillua ngjarja duket se atentati ishte i mirëmenduar dhe vrasësi ishte profesionist i mirëfilltë.
Burime nga policia saktësuan për Report TV se ish-polici Zeqaj ka qenë në një loto sport me kushëririn e tij duke parë ndeshje të Chamions League, ku luanin Barcelona-Arsenal; Juventus-Bayern.
Pak pa mbaruar ndeshja e fundit, Zeqaj ka dalë nga ambienti i basteve së bashku me kushëririn e tij, me të cilin është ndarë për të vijuar rrugën drejt shtëpisë së motrës ku ai jetonte këto ditë që ishte kthyer nga Franca, në rrugën 'Nikolla Tupe'. Vetëm 5 metra larg lotosportit, autori i ka bërë pritë në rrugicën e pandriçuar për të qëlluar në drejtim të tij e më tej të largohet pa lënë gjurmë. Banesa e motrës së tij është në katin e tretë të një pallati pranë vendit të krimit. Burimet thanë se autori është larguar menjëherë përmes një tuneli për në rrugën "Sami Frashëri", ndërsa deri më tani i shoqëruari kryesor që mund të hedhe dritë mbi ngjarjen, është kushëriri me të cilin Ajet Zeqaj ishte për herë të fundit para se të ekzekutohej.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje të cilët kanë qenë të shumtë në atë zonë mjaft të frekuentuar të kryeqytetit, trupi i viktimës pas vrasjes ka mbetur në rrugë në pritje të ardhjes së policisë e cila është njoftuar nga qytetarët.