Report TV - Tiranë, biznesmeni i ndërtimit u qëllua me armë zjarri "Tomson"

2016-03-17 2

Biznesmeni ndërtues që u qëllua me armë mbrëmë Tiranë në zonën e Komunës së Parisit e ku mbeti i plagosur në dorë, u qëllua me një armë zjarri tip "Tomson". Ky fakt mësohet nga burime për Shqiptarja.com, të cilat saktësojnë se autorët dyshohet të kenë qenë dy persona. Lulzim Kazani 56 vjeç u qëllua sapo doli nga makina ku ndodhej me bashkëshorten e tij, pranë shtëpisë së tyre në rrugën "Merdat Shtylla".

Pas krimit, autorët janë larguar në drejtim të paditur dhe ende nuk dihet identiteti i tyre.

Kazani ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës, ndërsa nga deklarimet e para për policinë ai është shprehur se nuk ka mundur t'i dallojë autorët për shkak të errësirës.

Sipas burimeve të Report Tv bëhet e ditur se, gruaja e Kazanit ka deklaruar për policinë se, burri i saj kishte një konflikt me të afërm dhe dyshon se ky ka qenë motivi i kësaj ngjarje të rëndë. 56 vjeçari ka marrë në dorëzim pronat e disa familjeve të fisit të tij për të ndërtuar pallate në kryeqytet.