Në ceremoninë e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste të Tiranës, kryetari i PS dhe njëherazi kryeministri Edi Rama, e nisi fjalën e tij me një kërkim ndjese për vonesën në këtë aktivitet, por nuk munguan as batutat me ish kryeministrin Pandeli Majko dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Rama e justifikoi vonesën disa minutëshe, për shkak të respektimit të rregullave të qarkullimit. "Nuk ishte vonesë nga ato të udhëheqësve të kohëve të vjetra, por për shkaqe objektive. Duke qenë se unë respektoj edhe këto rregullat e qarkullimit, shkova deri te Dogana për të ardhur te Pallati i Sportit", tha Rama.
Teksa mori fjalën i treti, pas Tahirit dhe Majkos, Rama u shpreh se dy të parët flasin si të qendrës së Tiranës, ndërsa ai vetë flet në emër të katundarëve të Surrelit e Dajtit.
"Këtu folën shumë kapitenë, dhe trajneri historik. Këta janë nga qendra e Tiranës, por unë flas në emër të katundarëve të Surrelit, Dajtit dhe të gjithë ish komunave që tani janë pjesë e bashkisë dhe kanë të drejtën që të jenë jo vetëm nga pikëpamja fizike pjesë e bashkisë, por edhe shpirtërore e të jenë të përfaqësuar. Këta të qendrës që na mbajtën larg gjithë këto vite, tani s'kanë cctë bëjnë e do bashkëjetojnë me idenë që kryetarin e ka katundi. Dua që t'i shpreh përzemërsisht mirëseardhjen djemve e vajzave, shpresoj që të mos jenë të gjithë të reja, se mua e Pandit do na duket sikur jemi këtu për të lënë amanetet", tha kryeministri.
Rama theksoi se zgjerimi i PS është treguesi më i mirë se qeverisja e vendit është në drejtimin e duhur, për të hedhur bazat e një shteti normal që funksionon në të gjithë Shqipërinë.
"Nuk ka asnjë test më inkurajues për mua dhe për ne. Nuk ka asnjë provë më bindëse dhe nuk ka asnjë kompliment më të madh që mund të na bëhet se ccfarë kemi bërë në këto 2 vite e gjysmë, sesa e gjithë kjo valë e re prurjesh që e kanë rritur PS-në, jo vetëm në numër, por edhe në cilësi në këtë proces fantastik hapje, zgjerimi e fuqizimi. Është testi, prova e komplimenti që vlen më shumë se të gjitha bataretë e logoretë e marra së bashku në këto 2 vjet e gjysmë për të minimizuar, relativizuar e cënuar të githë përpjekjen tonë me mish e me shpirt për t'i dhënë Shqipërisë një drejtim tjetër e për të hedhur bazat e një shteti normal që funksionon në të gjithë Shqipërinë", tha ai.