Megjithëse mbi Domart Konjarin, kishte një vendim dënimi me 10 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizate kriminale, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda teksa ka liruar 42-vjeçarin, nuk ka marrë në konsideratë dhe informacione të tjera të sjella nga autoritet franceze, të cilat dyshojnë se Konjari veç drogës është përfshirë në një seri vrasjesh në Shqipëri, Itali, Francë dhe Spanjë.
Gjykata është mjaftuar vetëm me faktin se materiali hetimor i mbërritur nga Franca, nuk kishte arrdhur në kohën e duhur, dhe nisur nga kjo situatë gjykatësit nuk kanë marrë në konsideratë informacionet dhe dyshimet që kishin francezët se Domart Konjari ishte i përfshirë në një seri vrasjesh, madje dhe vetë ishte bërë objekt i atentateve, ku i ka shpëtuar një sulmi me armë në kryeqytetin Madrid të Spanjës.
Frika nga atentatet e ndryshimi i emrit
Nga të dhënat që autoritetet franceze i kanë deleguar palës shqiptare, ka rezultuar se pas shpëtimit nga atentati me armë, Domart Konjari, ish-miku i Franc Konomit ka filluar të qëndrojë i fshehur, deri sa ka mbërritur në Shqipëri. Pikërisht në këtë vend, Konjari ka ndryshuar emrin duke u prezantuar si Arben Lazri. Mirëpo sërish një gjë e tillë nuk e lejonte atë t'i fshihej përgjithmonë drejtësisë dhe kundërshtarëve të tij. Konjari nëpërmjet lidhjeve të tij ka ndryshuar emrin nga Domart Konjari në Arben Lazri në gjendjen civile, pranë njësisë bashkiake nr.10.