TIRANE - Pesë muaj pasi u arrestua në pikën kufitare të Kapshticës Domart Konjari fiton lirinë. Vendimi për ta liruar atë nga burgu është marrë nga Apeli i Krimeve të Rënda në kryeqytet, ku u vendos masë sigurie "detyrim paraqitje".
Konjari u prangos më 6 nëntor teksa kalonte drejt Greqisë nëpërmjet Kapshticës. Ai u arrestua për llogari të drejtësisë franceze e cila e kish shpallur në kërkim si pjesëtar të një organizate kriminale, ndërsa zbulimi i tij në Kapshticë u bë pasi përdori një pasaportë me gjeneralitetet të një personi tjetër.
Por si u lirua Konjari?
Kërkesa e tij për të dalë nga burgu u rrëzua një muaj më parë nga gjyqtari Idriz Mulkurti i cili më 18 shkurt vendosi ta lërë në burg 40-vjeçarin personazh i njohur për drejtësinë shqiptare si shok dhe pjesëtar i bandës kriminale të Franc Konomit.
Pas refuzimit që u bë kërkesës së tij për të fituar lirinë ai ju drejtua Gjykatës së Apelit, e cila mesditën e kësaj të hëne vendosi detyrim paraqitje për shokun e Franc Konomit.
Ende nuk dihet se si u bind gjykata për të liruar nga burgu Konjarin për të cilin Franca i kish përcjell Interpolit një urdhër ndërkombëtar arresti.