Report TV - Shkatërrohet e grabitet kulla 200 vjeçare e Dervish Alisë në Dukat

2016-03-14 1

Kulla e Dervish Alisë, ndërtesa 200-vjeçare që ndodhet në lindje të fshatit Dukat në Vlorë po shkon drejt shkatërrimit total. Gazetari i Report Tv Armand Xhelili sjell pamjet e kësaj banese me vlera të spikatura historike dhe etnografike. Ja gjendja e banesës së klerikut bektashi që vuri çështjen kombëtare mbi fenë dhe udhëhoqi kryengritjet fshatare të vitit 1847. Kjo kullë ka pamjen e një kështjelle dhe shquhet për arkitekturën e veçantë, duke ruajtur tiparet karakteristike te banesës së Labërisë. Kulla me komplekset e banesave rrotull saj u shpall monument kulture në vitin 1979.

Tani syri të sheh vetëm një grumbull gurësh. Ambientet e këtyre kullave kanë pasur funksion të dyfishtë, banesë dhe kështjellë, me frëngji edhe për armët e zjarrit. Por aktualisht nuk gjen asnjë shenjë nga historia dhe madhështia e tyre. Porta kryesore është shkatërruar, në këtë banesë historike hyn çdo keqbërës i mundshëm duke vjedhur edhe sendet më vlerë që ka pasur kjo kullë.

Armand Xhelili raporton për Report TV se ?Kullat e Dervish Aliut në fshatin Dukat të Vlorës po shkojnë drejt shkatërrimit total. Kjo është një nga ndërtesat më të bukura dhe me vlera historike, kullat e Dervish Aliut në fshatin Dukat të Vlorës , tashmë janë shkatërruar nga mos kujdesia dhe mirëmbajtja. Këto kulla janë shpallur monument kulture në vitin 1979, dhe janë bërë restaurime në kohë të ndryshme.

Por siç duket dhe nga pamjet , këtu mund të quhet një grumbull gurësh, pasi çatitë kanë rënë, dyshemetë po ashtu, asgjë nuk është si më parë, dhe të tregojë vlerat që ka kjo ndërtesë 200 vjeçare.

Sipas banorëve të fshatit Dukat, kjo kullë nuk shërben më për vizitorët , por vizitorët e saj janë bagëtitë dhe kafshët e fshatarëve të cilët i strehojnë aty. Porta kryesore është shkatërruar, dhe në këtë objekt kulturor hyn kushdo,edhe keqbërësit të cilët kanë marrë sendet më vlerë që ka pasur kjo kullë.

Ky kompleks është ndërtuar në 1847-48 ,dhe përfaqëson banesë e tipit kullë me tipare mbrojtëse dhe më të bukurat në Shqipërinë e Jugut. Si pjesë më të rëndësishme të këtij ndërtimi përmendim kullën e vrojtimit, kullën mbrojtëse si dhe disa orendi të cilat nuk ndodhen më , si divani me kolona guri e harqe, shtëpinë e bukës, odën e miqve e banesa të tjera ndihmëse. Po ashtu në këtë banesë janë hapur dhe frëngji, ku dhe pozicioni kontrollonte gjithë territorin. Kulla e Dervish Alisë, ndërtesa 200-vjeçare që ndodhet në lindje të fshatit Dukat në Vlorë.