Report TV - Vasili kundër Braçes: Koncensionet mbi 4-vjet të miratohen në Kuvend

2016-03-13 0

LSI këmbëngul që të kalojnë në votën e parlamentit të gjitha koncesionet me kohëzgjatje më shumë se katër vjet. Petrit Vasili, një ndër nismëtarët e hartimit të ndryshimit të ligjit për koncesionet hedh poshtë propozimin e kryetarit të komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe.

?Është ideja kyç që parlamenti të shprehet për to të shprehet do të thotë të shprehesh më votë të shprehesh në sallën e parlamentit. Të gjithë instrumentet e tjera, komisionet e parlamentit janë në shërbim të vendimit që merret në sallën e parlamentit. Komisionet janë shqyrtues, lehtësues, qartues të procesit por ai i cili mbetet, ai i cili vendoset në korpusin ligjor të shtetit është ajo që vendoset në sallën e parlamentit?, u shpreh Vasili.

Në intervistën e tij për emisionin ?45 minuta? të Denis Mingës, Braçe tha se i kishte propozuar LSI-së një formulë alternative, që nuk përfshin gjithë Kuvendin, por vetëm komisionin e ekonomisë në diskutimet për lidhjen e kontratave koncensionare.

?Parlamenti nuk duhet të përfshihet për ta ratifikuar koncesionin, por Komisioni i Ekonomisë të mbikëqyrë nga afër që në nisje marrëveshjen e partneritetit publik ? privat?, tha deputeti socialist.

Në projektligjin e saj, LSI kërkon që kontratat koncensionare të mos jenë më të gjata se 35 vjet. Vendimi për dhënien e një koncesioni, të mos merret vetëm nga Ministria përkatëse, por në bashkëpunim me Ministrinë e Financës, të Ekonomisë, si dhe të Avokaturës së Shtetit.