Report TV - Bllokohet procesi i kompensimit të pronave, mungojnë VKM-të

2016-03-13 4

TIRANË - Procesi i Kthimit dhe kompensimit të pronës aktualisht është bllokuar. Qeveria deklaroi se do të niste zbatimin e ligjit të ri të pronave përpara se Këshilli i Evropës të shprehej zyrtarisht mbi të dhe para se Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të merrte në shqyrtim dosjet e shumta të pronarëve, që janë depozituar në vite. Kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronës, siç quhet aktualisht AKKP, Sonila Qato, tha në dhjetor se ligji do të hynte në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas saj, fakti që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës mbajti qëndrim pozitiv ndaj ligjit të ri për trajtimin e pronës flet për premisat e një qëndrimi po ashtu pozitiv nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut të Strasburgut.?Pengesa mund të vijë vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi presidenti i Republikës është shprehur se do ta dërgojë ligjin për shqyrtim nga kjo Gjykatë, e cila mund të vendosë pezullimin e tij. Nëse jo, zbatimi i ligjit do të vijojë normalisht pas publikimit në Fletoren Zyrtare?, tha Qato.

Por, për zbatimin e ligjit të ri kërkohet edhe miratimi i një serë aktesh nënligjore, vendime të Këshillit të Ministrave, që duhej të ishin gati. Deri tani, qeveria shqiptare nuk ka miratuar asnjë akt të tillë.

Shfuqizimi
Në fakt, ligji ka hyrë në fuqi, pasi ai u miratua nga Kuvendi, që hodhi poshtë kthimin mbrapsht të tij nga institucioni i presidentit. Ndërkohë, Nishani e dërgoi atë menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të pronave i është drejtuar edhe Partia Demokratike, pas republikanëve të Fatmir Mediut. Kërkesa është shfuqizimi e ligjit, të miratuar nga Kuvendi në dhjetor të vitit të kaluar me arsyetimin se cenon barazinë para ligjit, nuk e njeh pronën si concept, si dhe shkel vendimet e dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.