TIRANE - Efektivët e policisë janë të dekurajuar nga lirimi që gjykata i bën të arrestuarve për armëmbajtje pa leje, arsye për të cilën ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i është drejtuar me një letër kreut të shtetit Bujar Nishani, për dijeni dhe ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.
Tahiri kërkon ndërhyrjen e tyre ndaj vendimit të gjyqtarit të Vlorës Laurent Fuçia, i cili ka dhënë detyrim paraqitje e më tej ka urdhëruar lirimin për një të arrestuar në një pikë bastesh në lagjen "Pavarësia" në Vlorë me armë pa leje.
Ngjarja ka ndodhur në 23 shkurt të këtij viti ku Vasil Papa u arrestua bashkë me dy të tjerë, Ergys Muratin dhe Klajdi Begën. Pavarësisht se Prokuroria kërkoi masë sigurie arrest me burg, gjyqtari e ka lënë Vasil Papën të lirë.
"Shfaqet qartë se gjyqtari nuk e konsideron rrezikshmërinë e veprës penale të pasojave që mund të rrjedhin prej konsumit të kësaj vepre, si dhe nënvlerëson rrezikshmërinë e personit në dritën e fakteve të parashtruara në dosjen hetimore duke zbutur në mënyrë flagrante masën e sigurimit ndaj tij. Lutem vlerësimin e rastit nga ana juaj për kompetencë pasi veprimi i gjyqtarit Lauren Fucia ka indinjuar me të drejtë dhe punonjësit e policisë së vlorës të cilët ndjehen të dekurajuar në kryerjen e detyrës e akoma më shumë qytetarët që ndjehen të kërcënuar nga gjyqtarë që marrin vendime në favor të shkelësve të ligjit", shkruan Tahiri në letrën drejtuar Presidentit Nishani, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë.