Report TV - "Një gjysh çoi letër për mësuesin dhunues, problemi tek drejtorët"

2016-03-11 2

TIRANË - Në të njëjtën ditë kur mësuesi 63-vjeçar dhunoi me drunj katër nxënës të tij, gjyshi i një prej fëmijëve të shkollës 9-vjeçare të fshatit Ostren në Dibër, i ka çuar një letër drejtorisë Arsimore për dijeni edhe Ministrisë së Arsimit, ku shprehte shqetësim për mësuesin Agim Muça. Këtë fakt e bëri të ditur zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj e cila ishte e ftuar këtë mëngjes në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV.

"Nuk kemi qenë në dijeni të këtij fakti. Ne shkruajmë një rregullore që është shumë strikte. Më erdhi letra e një gjyshi që e kish çuar 5 ditë para në drejtorinë Rajonale, i cili shprehte këtë shqetësim. Na e kishte sjellë edhe ne po që s'kishte mbërritur. Ai kishte shqetësim për këtë individ, s'ishte korrekt, mungonte shumë, shkonte te klubi i mjedisit ku jetonte", u shpreh Malaj.

Ajo thotë se sjellja e dhunshme është përgjegjësi personale e çdo individi, por se problemin e gjen edhe tek drejtori i shkollës. "Unë shikoj problemin e titullarit të shkollës. Edhe pse do doja të ishte një problem i izoluar është një problem në sistemin tonë i cili na vë në vendimmarrje të vështira", theksoi zv.ministrja.

Por cila është kjo vendimmarrje e vështirë që do të ndërmarrë Ministria e Arsimit?

Nora Malaj tha se do të ketë vendimmarrje jo vetëm individuale, por edhe kombëtare, për të parë se ku janë problemet, veçanërisht ato që lidhen me kodin e etikës profesionale. Në testimet e zhvilluara ndaj mësuesve - tha Malaj - problemi më i madh që është hasur është pikërisht ai i kodit të etikës dhe i menaxhimit të situatave të ndryshme me fëmijët në klasë, çka sipas saj ka nxjerrë në pah se niveli i mësuesve është i trishtueshëm.

"Do të ketë kualifikim kombëtar për të mos pasur më ngjarje të trishta", u shpreh zonja Malaj.

Megjithatë, zëvendësministrja nuk është vetëm për ndëshkimin me burg të mësuesve dhunues, por edhe të ndihmës ndaj tyre për t'i risocilizuar.

"Kjo kategori mësuesish nuk duhet të ketë më vend në këtë profesion. Nuk kemi interes të fusim njerëz në burg, por nëse janë të sëmurë, si të alkoolizuar, t'i ndihmojmë, të rregullojmë raportin. Sepse nuk është problemi i vetëm që dhunohen fëmijët, por edhe që luhatet figura e modelit të këtij mësuesi", theksoi ajo.

Edhe pse shqetësimi nga familjarët ka ardhur në datën 4 mars, kur mësuesi dhunoi fëmijët, Nora Malaj mendon se mund të ketë qenë shqetësim i ngritur edhe më parë, pasi në këtë qark ka pasur probleme të shpeshta të shfaqura edhe nga vetë titullarët.