Report TV - 7 Marsi/Bulqizë, mësuesi i dehur rreh me dru nxënësit, 4 rëndë

2016-03-10 2

BULQIZË- 7 marsi, "Dita e Mësuesit", është kthyer në makth për nxënësit e një shkolle 9-vjeçare në Bulqizë, ndërsa në shkollat e tjera bëhej festë. Policia ka bërë të mundur arrestimin e mësuesit Agim Muça, i dyshuar se rrahu nxnënësit e shkollës 9 vjeçare, të Orzhanovës në fshatin Ostren.

Nga dhuna mbetën të plagosur katër nxënës ndërsa një vajzë është dërguar në spitalin rajonal të Dibrës në gjëndje të rëndë shëndetësore. Arrestimi i Muçës, u konfirmua për mediat nga Policia e Shtetit që tha se pas denoncimeve të prindërve dhe mësuesve, Muça u arrestua në flagrancë me akuzën e plagosje të rëndë.

Sipas dëshmive të nxënësve mësuesi ka goditur nxënësit edhe me drutë e zjarrit. Prindërit e nxënësve, por edhe mësues të tjerë të shkollës, denoncuan dhunën barbare të mësuesit Agim Muça ndaj fëmijëve.

Lirie Muca nëna e një prej nxënëseve të dhunuar që ndodhet në spital, pohoi në një lidhje telefonike për Report tv se rastet e dhunës së këtij mësuesi janë të ripërsëritura.

Menjëherë pas denoncimit, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të Bulqizës kanë mbërritur pranë shkollës dhe kanë pushuar nga puna mësuesin Adil Muça. Ndërkaq policia e njoftuar për rastin, mori masën e arrestit në flagrancë ndaj mësuesit, ndërsa ai tashmë pritet të përballet me akuzën në gjykatë.

Rastet e dhunës së mësuesve ndaj nxënëseve në shkollat shqiptare, janë jo pak të përsëritura.