Ofertat për blerjen e kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG, dorëzohen sot në Ministrinë e Financave. MF ka bërë të ditur më herët se deri më 15 shkurt, 7 subjekte kanë shfaqur interes për blerjen e kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve, ndërsa aktualisht nuk ka një njoftim zyrtar nga Ministria e Financave për numrin e kompanive që kanë paraqitur ofertat pranë komisionit të vlerësimit të ofertave.
Qeveria ka parashikuar shitjen e 100% të aksioneve të INSIG për vlerën minimale 15.305.000 euro përmes tenderit të hapur.
Referuar njoftimit në Agjencinë e Prokurimeve Publike nga MF, për zgjedhjen e ofertës fituese, do t?i jepet përparësi çmimit më të lartë të propozuar. Sipas kritereve të vlerësimit të ofertave, peshën më të madhe të pikëve, prej 80%, do ta ketë çmimi i ofruar nga konkurrenti, ndërkohë që plani i biznesit dhe cilësia e blerësit do të kenë respektivisht nga 10 pikë.