TIRANE - Deputetët e Partisë Demokratike braktisën seancën e sotme parlamentare, pasi Kuvendi nuk futi në rendin e ditës kërkesën e tyre për heqjen e mandatit të deputetes Valentina Leskaj, me argumentin se ka konflikt interesi. Edhe pse në nisje të seancës erdhën optimistë në sallë pasi Konferenca e Kryetarëve kishte pranuar dy kërkesa të tjera të opozitës - për dekriminalizimin dhe komisionet hetimore, të djathtët nuk "rezistuan" dhe pas një fjale që mbajti kryetari i grupit Edi Paloka dhe Sali Berisha, braktisën seancën. Një tërheqje kjo për demokratët, të cilët më herët të njëjtat kauza i mbrojtën duke bllokuar seancën e madje duke qëlluar edhe me vezë brenda sallës...këtë radhë aksioni i tyre opozitar duket se është bojkoti.
Ndërkohë, mandati i deputeti Koço Kokëdhima, për të cilin Këshilli i Rregullores dhe Mandateve vendosi t'ja kalojë kushtetueses, Ruçi tha se eshte ne rendin e dites, bashkë me kërkesën tjetër të demokratëve për mandatin e deputetit Rakip Suli.
Më herët Konferenca e Kryetarëve pranoi dy kërkesa të opozitës për një amendim në ligjin e dekriminalizimit që të pezullojë nga funksionet publike zyrtarët e arrestuar në flagrancë, si dhe një ndryshim në ligjin për komisionet hetimore
Konferenca e Kryetarëve pranoi kërkesat e tyre për një amendim në ligjin e dekriminalizimit dhe ndryshim në ligjin për komisionet hetimore, lajm i bërë publik nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.
"Kërkesa për hyrjen në kalendar të dy amendamenteve u plotësua ndaj nuk do ta bllokojmë seancën , do marrim vendimet tona por nuk do jemi sot deri sa kjo sallë t'i kthejë legjimitetin", tha Paloka.
Megjithatë, deputeti demokrat e pati fillimisht të paqartë nëse opozita do të qëndronte këtë të enjte në sallë apo jo.
Kjo u duk kur mori fjalën kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, dhe opozitën e gjeti në këmbë në mëdyshje për të qëndruar në karriget e deputetit apo për tu larguar nga salla.
Fjala e tij, edhe pse me ironi dhe e ashpër, duket se ja doli të mbajë opozitën në seancë, një gjest ky i vlerësuar edhe nga kreu i Kuvendit Ilir Meta. "E falenderoj zotin Ruçi se ja arriti qëllimit të mbajë opozitën në parlament", u shpreh kryeparlamentari pasi Ruçi la foltoren.
"Do rrini apo do ikni mo, do dëgjoni, uluni e dëgjoni qelepir e keni, uluni se unë i kam gjërat ballë për ballë. Sali ti e di që mua nuk më shpëton as nga goja as nga dora", tha Ruçi, i cili bëri që deputetët të ulën në karrige.
Më tej kreu i grupit të PS sqaroi se kërkesa e PD-së për dekriminalizimin është paradoksale, kur ky ligj është miratuar në negociata të gjata mes palëve.