Report TV - PD nesër në Kuvend, bllokim seancës nëse s'pranohen 3 kërkesat

2016-03-09 1

Demokratët janë të vendosur në betejën e tyre në parlament deri në pranimin nga mazhoranca të kërkesave të opozitës. Opozita i ka të pangeciueshme të paktën tre çështje amendimin e ligjit për dekriminalizimin, amendimin për funksionimin e komisioneve hetimore që i heq mundësinë mazhorancës për bllokimin e tyre dhe së treti zbatimin e vendimit të gjykatës kushtetuese për mandatin e deputetëve Koço Kokëdhima, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli.

Nëse këto kërkesa të PD nuk kalojnë në seancë plenare atëherë PD do të pamundësojë zhvillimin e seancës duke bllokuar punimet e kuvendit. "Ajo që ka rëndësi, është që parlamenti nesër, në radhë të parë Konferenca e kryetarëve, sipas detyrimit që ka me rregullore, këto cështje t?i fusë në kalendarin e punimeve të Parlamentit dhe pastaj, sigurisht ajo që mbetet dhe që është çështje parimore, është miratimi i amendamenteve dhe i zbatimit të vendimeve të Gjykatës kushtetuese. Nëse arrihet deri aty sa të shkelet edhe rregullorja pasi tashmë jemi në kohën e rregullt të futjes në kalendar të këtyre amendamenteve, sigurisht që veprimet tona do të jenë të njëjta, bllokim seance dhe reagime në varësi me vendimet që do të marrë maxhoranca. Por do të ishte absurde nëse nuk do të pranonin ti fusnin në kalendar, do ishte një shkelje që i kalon përmasat e shkeljeve të zakonshme", u shpreh Paloka.

Mbledhja e grupit parlamentar demokrat u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth dy orë. "Nëse këto amendamente futen në kalendar, thjesht zbatohet një procedurë, një pjesë e rregullores. Kërkesa jonë parimore nuk është thjesht futja në kalendar por është miratimi i tyre", tha ai.

Mësohet se në grup është diskutuar për reagimin e opozitës në seancë ndërsa është kaluar pa debate, por nuk munguan sugjerimet.

Deputeti Astrit Patozi mësohet se ka propozuar qëndrim më të prerë në raport me marrëdhëniet me komisionet kuvendore, ku është shprehur që nëse bojkotohen komisionet e përhershme të bëhet e njëjta gjë edhe me komisionet hetimore.

Ndonëse u konsiderua qëndrim i drejtë, kryetari Basha mësohet të jetë shprehur se këto komisione kanë qenë kërkesë e PD dhe nuk mund të mos jenë pjesë e tyre.

Në mbledhjen e grupit të PD u vu re mungesa e ish kryeministrit Berisha.