Report TV - Surpriza Rama: Referendum për mandatin tim në krye të PS

2016-03-09 1

TIRANE - Me një "Mea Culpa" për shkeljet e statutit të partisë, kryesocialisti Edi Rama ka bërë një propozim surprizë për mandatin e tij të parinovuar përmes zgjedhjeve në 4 vjet brenda partisë: Mbajtjen e një referendumi në të gjithë vendin, ku socialistët të pyeten nëse duan ose jo të ndërpritet mandati i Ramës si kryetar i partisë.

"Ta vendosin socialistët çështjen e mandatit tim, as ju as ne në Kongres. Ta vendosin me votë të lirë, të fshehtë, në përgjigje të pyetjes: Nëse mandati im duhet të ndërpritet. Sipas meje e mbështes me bindjen më të plotë rregullimin e statutit sipas modelit laburist. Mandati nuk kalohet me një votim shumice, nuk kalohet as në kongres. Se mandati im është marrë me një anëtar një votë dhe s'mund të kalohet në kongres. Statuti është bërë alibia, kurse qëllimi është rrëzimi i qeverisë, ndryshimi i programit të qeverisë për të cilën kanë votuar shqiptarët", tha Rama.

Shefi i mazhorancës pranoi publikisht përgjegjësinë personale për shkeljet në status, siç është mungesa e mbledhjeve të Asamblesë dhe të Kryesisë, duke kërkuar ndjesën e çdo socialisti.

"Mea culpa. Është fakt që kjo punë duhej të kishte nisur më parë, 2 vjet e gjysmë më parë duhej të ishte trajtuar çështja e rinovimit të mandatit tim. Kjo Asamble dhe Kryesia duhej të ishin mbledhur, unë jam përgjegjësi kryesor. Sepse duke parë sa shumë kemi përfituar në këto 6 muaj pune serioze me partinë merre me mend sa do kishim fituar po të ishim kujdesur përditë për përtëritjen e partisë"

Por Rama u kujdes të bëjë edhe veçime nga kjo ndjesë.

"Kërkoj sinqerisht ndjesën e çdo pjesëtari të kësaj familje politike, dhe absolutisht të askujt tjetër, se askush tjetër nuk ka tagrin të më bëjë mua moralin e vlerave dhe të parimeve Demokratike. Duan s'duan kundërshtarët tanë të lodhur apo përgojuesit tanë të shumë. Të gjithë ata që nuk na duan kjo parti ka disa merita që nuk i ka asnjë organizatë tjetër politike në këtë Shqipërinë tonë", - tha kreu i qeverisë.

Po ashtu, Rama, kërkoi ndjesë që nuk diti të bëjë detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste me të njëjtin angazhim dhe efektshmëri si të kreut të qeverisë. Por për këtë, Rama jep arsyen e tij: Gjendjen e vështirë në të cilën mori në dorëzim drejtimin e vendit si kryeministër, ndryshimi i të cilit ishte barrë e madhe - siç tha Rama - për të gjithë.

"Nuk kam qenë i aftë të gjej në rrugën pas zgjedhjeve vëmendjen, energjinë, kohën e nevojshme për ta bërë edhe këtë detyrë me të njëjtin angazhim dhe efektshmëri që kam bërë detyrën e kryeministrit, se kjo e dyta më kushtoi me pahir, në kushte shumë të rënda që morëm detyrën për të qeverisur vendin. Ashtu siç na kushtoi të gjithëve sipas peshës së barrës në kurriz. As unë nuk munda, nuk dita dhe nuk e bëra këtë detyrë siç duhej dhe do kisha dashur. Kur morëm në dorëzim çelësat e qeverisë u gjendëm në një gjendje të jashtëzakonshme", - tha Rama.

Free Traffic Exchange