Report TV - Përforcime në Policinë Bashkiake Veliaj: Të kthejmë ligjin në Tiranë

2016-03-09 4

Policisë Bashkiake të Tiranës i janë bashkuar 100 rekrutë të rinj. Në ceremoninë e betimit të tyre, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se detyra kryesore e tyre është të kthejnë qytetin në binarët e ligjit.

?Jemi në një situatë jo të lehtë për Bashkinë e Tiranës, për disa arsye. Së pari, sepse kemi marrë Bashkinë pas një katër vjeçari ku nuk janë bërë shumë punë publike, ku nuk ka pasur shumë angazhim të qytetit, ku kishte degjeneruar pastrimi, ku çdo trotuar ishte zaptuar, ku askush nuk e trajtonte pronën publike si një pronë me zot por e abuzonte, zinte dhe e okuponte si një pronë pa zot. Për ta sjellë qytetin tonë në ?binarë?, ju jeni instrumenti numër një dhe i pazëvendësueshëm i Bashkisë së Tiranës?, tha Veliaj në ceremoninë e betimit.

Sipas tij, Policia Bashkiake në 7 muaj ka pësuar një ndryshim rrënjësor, duke filluar që nga sjellja e përfaqësuesve të saj në raport me qytetarin. Veliaj vuri në dukje rritjen e numrit të vajzave në rradhët e Policisë Bashkiake.

?Sot është një ditë e veçantë për ju, teksa betoheni në radhët e Policisë Bashkiake të Tiranës. Sot janë 100 rekrutë të rinj, dhe nuk besoj se kishte një lajm më të mirë pas 8 marsit, për të treguar që ne 8 marsin e jetojmë përditë, se ne besojmë tek barazia gjinore përditë. Dua t?ju uroj një mirëseardhje të veçantë kolegeve vajza, zonja e zonjusha të cilat kanë marrë përsipër një detyrë që tipikisht në Bashkinë e Tiranës është kryer vetëm nga meshkujt. Në ditën e parë që kam ardhur në detyrë ka pasur vetëm një zonjë, kështu që automatikisht kemi rritur 22 herë pjesëmarrjen e vajzave dhe zonjushave në Policinë Bashkiake të Tiranës?, - tha Veliaj duke shtuar se kushdo duhet të kuptoj se së pari forca nuk është thjeshtë muskulore por më së shumti në komunikim.