Report TV - Refugjatët sirianë drejt Shqipërisë policia kufitare gatishmëri të plotë

2016-03-08 1

Informacionet se drejt Shqipërisë është drejtuar një karvan refugjatësh sirianë, ka bërë që në kufirin me Greqinë të shtohen forcat e sigurisë. Nga e marta më shumë se 50 forca të policisë së kufirit patrullojnë gjatë 24 orëve të gjithë brezin e gjelbërt nga fshati Vidohovë deri në fshatin Tren. Një numër i madhe efektivësh janë të vendosur në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Në këtë perimetër, që cilësohet si zona ku mund të mbërrijën refugjatët janë vendosur edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilët monitorojnë jo vetëm brezin e gjelbërt por edhe të gjitha shtigjet që njihen si vendkalime refugjatësh.

Kjo për faktin se në këtë situatë shumë refugjatë mund të kalohen edhe prej grupeve të trafikanëtëve. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Drejtoria Rajonale ka përgatitur një plan masash me qëllim ruajtjen e gjithë vijës sonë kufitare me Greqinë.

Në bazë të këtij plan masash, për të gjithë efektivët e kufirit janë shtuar orët e shërbimit, duke u vendosur në gatishmëri të plotë. Por autoritetet vendase nuk konfirmojnë se vala e refugjatëve i është drejtuar kufirit tonë, por shprehen se masat janë marrë për shkak të ndonjë devijimi të mundshëm të itinerarit të lëvizjes së tyre.