Report TV - S'ka konsensus për drejtësinë Komisioni mbyllet pa vendim

2016-03-07 0

TIRANË ? Pas rreth katër orë diskutimesh, komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka mbyllur punimet pa një vendim. Palët debatuan për nivelin e diskutimit të draftit, ku opozita kërkoi format politik, ndryshe nga mazhoranca që insiston se çështja u takon ende ekspertëve.

Mbledhja e parë e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi pas konkluzioneve paraprake të Komisionit të Venecias bashkon në qëndrim të gjitha palët për realizimin e kësaj reforme, por i ndan ata për rrugën që duhet ndjekur për këtë proces. Ndërsa PD insiston për një dialog politik për të paktën 11 çështje të cilat kërkojnë zgjidhje e ku të paktën për 7 prej tyre Venecia kërkon zgjidhje politike. Edhe LSI shprehet për një tryezë të nivelit të lartë politik dhe për caktimin e një axhende të përbashkët të punës për këtë çështje. Për socialistët problematikat e ngritura nga drafti paraprak kërkojnë diskutim teknik, duke e konsideruar të panevojshëm diskutimin politik. Kryetari socialist i komisionit ad hoc, Fatmir Xhafa, tha se debati mund të kalojë në nivel politik, pasi drafti dhe rekomandimet e Venecias të kenë kaluar në tryezën e ekspertëve dhe për çështjet politike, sipas tij, të kërkohen diskutime të nivelit politik.

Fatmir Xhafa: Projekti i reformës, në përputhje me standardet europiane
Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafa, u shpreh se projekti i reformës është në përputhje me standardet europiane.

Sipas tij, Kuvendi vendosi që në fillim rrugën e konsensusit, duke shmangur qeverinë nga hartimi i projektit, duke ia lënë atë ligjvënësit. "Projekti i reformës në drejtësi është koherent dhe në përputhje me standardet europiane. Ju e pranoni dhe të gjithë e pranojmë rolin e Venecias në këtë proces, prandaj të shkojmë drejt një projekti kushtetues të përbashkët. Kuvendi i Shqipërisë që kur e nisi këtë proces, e nisi mbi këtë koncept, është ekspertiza që ndërton projektin, ndërsa politika gjykon projektin. Pra, për arsye të njohura, Kuvendi tha se nuk do ta hartojë qeveria, por një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtar. Në relacioni e Kuvendit është thënë e zeza mbi të bardhë. Ky është vendimi dhe relacioni i Kuvendit. Ka dy mënyra për të gjykuar një parlament, mbi një produkt qeveritar dhe nismë deputetësh. Kuvendi vendosi të zgjedhë variantin e parë, që të jetë një proces i brendshëm i parlamentit. Është ekspertiza dhe mbi ekspertizën është komisioni parlamentar", u shpreh Xhafa.