Në sallën e zhurmshme të kuvendit, ka dhe deputetë të cilët nuk kanë folur asnjë herë. Po ashtu ka ndër ta që figurojnë zyrtarisht të pavarur, pavarësisht se shpeshherë kamerat i kanë fokusuar në mbledhjet e grupit të njërës apo tjetrës parti.
Ngjyra gri në plan vendosjen e deputetëve në sallën e seancave plenare tregon pikërisht këta deputetë. Prej saj figuron se të pavarurit janë më të shumtë në rradhët e opozitës. 5 të tillë përkundrejt 4 të maxhorancës.
Alban Zeneli, të cilin shpesh e kemi parë të flasë në foltoren e Partisë Demokratike, në shkresat e kuvendit, figuron se nuk i përket asnjë force politike.
E njëjta gjë për deputeten e PD-së për Tropojën Mimoza Hajdarmataj. Ish deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri i cili merr pjesë në mbledhjet e grupit të PD-së, Nard Ndoka dhe Mesila Doda, të vendosur në krahun parlamentar të opozitës, gjithashtu zyrtarisht janë pa angazhime partiake.
Nuk dihet nëse Vangjel Dule pas negociatave për aleancë me PD-në do të ndryshojë dhe krahun nga do të ulet por sipas shkresave të depozituar në kuvend, ai dhe zëvendësuesja e Mark Frrokut , rezultojnë të dy të pavarur.
Për të formuar 7-shen e nevojshme për krijimin e një grupi parlamentar, Aurel Xhindi u është dhënë borxh nga socialistët e PDIU-së së Idrizit. Ndërsa demokratët Florion Mima, Bedri Hoxha, Mhill Fufi dhe Gjovalin Bzheta janë huazuar tek republikanët po për të njëjtin motiv.