http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ky është sinjali që tregon nisjen e procesit për dekriminalizimin. Miratimi në Kuvend me votat e mazhorancës dhe opozitës, i çel rrugën procesit për verifikimin e integritetit të zyrtarëve shqiptarë. Të gjithë ata që paguhen nga taksat e qytetarëve, duke nisur nga Presidenti i Republikës, kreu i Kuvendit, kryeministri, ministra, deputetë dhe deri tek specialistët më të thjeshtë të institucioneve shtetërore, do të duhet të tregojnë nëse në të kaluarën e tyre kane pasur probleme me drejtësinë. Detyrim është plotësimi i formularit të vetëdeklarimit. Afatet dhe procesi i vetedeklarimit dhe verifikimit janë të detajuara. Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, funksionarët janë të detyruar të depozitojnë Formularin e Vetëdeklarimit pranë organit përgjegjës. Në rast se refuzohet dorëzimi i vetëdeklarimin të plotësuar sipas përcaktimeve ligjore, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Një gjë e tillë, konsiderohet si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar me shkelje, çka përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ligji parashikon që në të ardhmen, për deputetët, kryeministrin dhe ministrat jo deputet dhe të zgjedhurit vendorë formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari i Kuvendit, për drejtues apo anëtarë të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj që zgjidhen nga Kuvendi. Vendimi përcakton se deklarimi i të dhënave të rreme përbën vepër penale dhe dënohet me burgim dhe se të dhënat i nënshtrohen një verifikimi të plotë dhe të gjithanshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nga organet shtetërore dhe Prokuroria e Përgjithshme. Vendimi i miratuar me konsensus politik, përcakton se procesi i verifikimit mbyllet brenda një afati 3 mujor nga momenti i ardhjes së kërkesës për verifikim, me përjashtim të rasteve kur Prokurori i Përgjithshëm vendos zgjatjen e afatit. Brenda 3 ditëve nga përfundimi i verifikimit dhe miratimit të rezultateve, Prokurori i Përgjithshëm ia njofton organit përgjegjës për zbatimin e ndalimeve sipas ligjit të dekriminalizimi. Prokuroria e Përgjithshme, përmes një strukture të posaçme, kryen verifikimet për funksionarët publikë aktual dhe nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, organi përgjegjës zbaton procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra, sipas ligjit për dekriminalizimin. Por ne organin qendror te akuzës nuk është ngritur kjo strukture.