Një tjetër çudi zbulohet për pallatin 13-katësh që po ndërtohet në hyrje të Parkut të Liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik, në rrugën e Elbasanit. Firma që po kryen punimet e ka ndërtuar rrethimin mbi trotuar.
Siç mund ta shikoni nga këto plane shufrat e hekurit janë vendosur në trotuar. Rreth 30 cm të trotuarit janë futur në brendësi të rrethimit, ndërkohë që ajo është pronë publike, ku kalojnë qytetarët dhe jo pronë private. Pavarësisht se këto punime duhen inspektuar, asnjë intitucion nuk kujtohet t'i kërkojë llogari personave që po ndërtojnë një pallat 13-katësh në hyrje të Parkut të Liqenit që tashmë po zapton edhe hapësirat publike.
Gjithashtu firma që kryen punimet ka prishur edhe një pjesë të trotuarit. Qytetarët detyrohen të kalojnë në rrugën e makinave që mund të jetë shkak për aksidente. Edhe në këtë rast nuk ka kërkesë llogarie nga institucionet, ndërkohë që punimet po vazhdojnë intesivisht.