Tregu i gjësë së gjallë në Milot të Kurbinit, nuk plotëson asnjë kusht higjeno- sanitare për të ushtruar aktivitetin. Pamundësia e inspektorëve për të vepruar në këtë treg ka bërë që tregtimi i produkteve me bazë shtazore të bëhet në kushte skandaloze, siç mund ta shihni edhe në këto pamje.
Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Lezhë, Lek Prendi thotë se për të stabilizuar këtë treg duhet vetëm ndërhyrja e shtetit dhe forcës së tij.
"Kemi garantuar që në Qarkun e Lezhës të kemi laborator fiziko-kimik dhe pjesërisht diagnostik për sa i përket produkteve shtazore. Kur do jetë? Është çështje ditësh për arsye se strukturën e miraton Kryeministri, Këshilli i Ministrave miratohet struktura e re do të vihet funksional edhe operatori me kushtet që kemi ne"-tha Prendi.
Kjo problematikë u ngrit gjatë analizës 1-vjeçare të punës së këtij institucioni, ndërsa u diskutua edhe për shqetësimin që vazhdon të ketë informaliteti në fushën e sigurisë ushqimore, që sipas AKU-së do të ketë vëmendje maksimale gjatë 2016-ës.