Report TV - Galeria e Arteve çdo të shtunë falas, Shabani: Mundësi edukimi

2016-03-05 1

Galeria Kombëtare e Arteve ka hapur sot, ditën e shtunë dyert e ekspozitave të saj falas për publikun. Interesi ka qenë i madh dhe siç shprehet drejtori i këtij institucioni Artan Shabani, ky projekt u jep mundësi edhe atyre që nuk e njohin artin pamor, e sidomos pensionistëve, nënave me fëmijë e nxënësve e studentëve.

Prej disa muajsh Galeria Kombëtare e Arteve ka marrë një nismë të re që një të shtunë të çdo muaji ta lejoj publikun e kryeqytetit për t?i parë ekspozitat pa pagesë. Projektin për dyert e hapura të Galerisë Kombëtare e ka afruar publikun e çdo moshe dhe profesioni me arritjet më të mira të artit shqiptar.

Vizitori i parë që takuam në mëngjesin e ditës së sotme është një mësues biologjie. Pasi rrëfen se vjen shpesh për të parë Galerinë Kombëtare të Arteve, ky vizitor shprehet se ?është një nismë shumë e mirë e Galerisë Kombëtare që ka hapur dyert jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për të gjitha llojet e arteve, klasike dhe moderne?. Drejtori i Galerisë Kombëtare Artan Shabani sot ishte në punë në pritje edhe të disa vizitave të organizuara nga institucionet.

Vizitorët e të gjitha moshave dhe profesioneve sot do të shohin gratis, jo vetëm ekspozitën vetjake të piktorit të njohur Llambi Blido, por ekspozitat në të gjitha sallat e linjës, si e Artit të Realizmit Socialist, e traditave më të hershme të pikturës e skulpturës shqiptare apo arteve moderne.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve pohon se kjo nismë nuk është vetëm një shpikje e tij, por një përvojë që e kanë aplikuar të gjitha galeritë e njohura në kryeqytete më të mëdha të botës. Artan Shabani rrëfen për Report TV se çfarë pikësynimi ka kjo hyrje e lirë në Galerinë Kombëtare, duke theksuar se vizitat e lira janë një mundësi e mirë edhe për edukimin përmes veprave të artit.