Report TV - Plotësohet dekriminalizimi votë unanime për aktet n.ligjore

2016-03-04 0

TIRANË - Tre ditë negociata të shoqëruara me polemika, përplasje verbale dhe momente tensioni mes mazhorancës dhe opozitës, u finalizuan mesditën e të premtes me votimin nga Kuvendi 114 vota "pro" të akteve nënligjore të dekriminalizimit. Ndonëse u cilësua si një proces i vështirë dhe kompromisi dukej gjithnjë e më i largët, pas dy jave të tensionuara në Kuvend ku opozita tentoi deri në bllokimin e punës së Kuvendit, tërheqja e mazhorancës nga disa pika, bëri arritjen e konsensusit dhe finalizimin e një beteje 2-vjeçare për opozitën.

Seanca e një dite më parë e Kuvendit u karakterizua nga ndërprerjet e herë pas hershme, për shkak të insistimit të opozitës për të përfshirë në rendin e ditës të katër kërkesave të saj, ndërsa vetëm në orët e vona të ditës së enjte, palët arritën konsensusin për dekriminalizimin.

Pas votimit unanim sot në Kuvend, në emër të grupit të PS, Gramoz Ruçi garantoi se shumica ka qenë gjithnjë e bindur për këtë proces të rëndësishëm. Por nga ana tjetër, pasi mori "trofeun" e parë të konsensusit, opozita braktisi punimet e kuvendit duke vendosur si kusht kryesor për rikthimin, largimin efektiv të deputetit Armando Prenga.

Kryetari demokrat i komisionit parlamentar të dekriminalizimit, Oerd Bylykbashi, u shpreh pas miratimit në Kuvend të akteve nënligjore, se një gjë e tillë duhet të ishte bërë që para 3 muajsh, në mënyrë që sot ligji të ishte në zbatim e sipër. Sipas tij, me votimin në Kuvend të akteve nënligjore, u "firmos" largimi i kriminelëve nga Kuvendi, duke nënkuptuar kështu se deputeti Prenga preket nga ligji. ?Nuk do të tolerojmë për asnjë çast që ligji të mos zbatohet. Ky është akti që përmbyll betejën 2 vjeçare për dekriminalizimin. Bëmë ligjin se kriminelët janë në politikë e administratë?, u shpreh Bylykbashi.