Punonjësit e Uzinës së Naftës në Ballësh kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme përpara prefekturës së Fierit.
Edhe pse prej 40 vjetësh janë pjesë e një prej industrive më fitimprurëse në vend dhe botë, këta punonjës e inxhinierë prej 8 muajsh janë të papaguar.
Ata kanë kërkuar që të takohen me Prefektin Xhavit Bushaj në mënyrë që ky i fundit të marrë përsipër ndërhyrjen tek organet kompetente për tu dhënë këtyre punonjësve një përgjigje të saktë nëse duhet të vazhdojnë punën apo jo.
Janë rreth 1 mijë punëtorë në uzinën e naftës që çdo ditë shkojnë në punë, përpunojnë arin e zi, por në fund nuk marrin asnjë qindarkë për të mbajtur familjen gjallë.
Kjo nuk është protesta e vetme e punonjësve të Uzinës së Naftës. Pak muaj më parë ata protestuan sërish për të njëjtin problem, por sërish nuk iu dha ndonjë zgjedhje.
Duket paradoksale, por këta punonjës të papaguar jo në pak raste kanë shpëtuar uzinën nga shkatërrimi, duke kontribuuar për të nxjerrë prodhimin, por të ardhurat në asnjë rast nuk u përdorën për tu paguar.