Report TV - Kushtetuesja rrëzon pjesërisht ligjin për “Procedurat Tatimore”

2016-03-03 0

Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë 8 nene të ligjit të ri që parashikonte rritjen e gjobave ndaj bizneseve për shkelje fiskale. Në këtë mënyrë Gjykata pranoi pjesërisht kërkesën e Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut, e cila kishte kërkuar antikushtetueshmërinë e 11 neneve të ligjit të ri për procedurat tatimore.

Në këtë mënyrë, Gjykata ka konsideruar antikushtetuese nenet që parashikojnë gjoba deri në 500 mijë lekë për moslëshimin e kuponit tatimor, mosdeklarimin e adresave, për mallra pa dokumentacionin përkatës, për punonjësit e padeklaruar, apo për deklaratat e rreme mbi pagat. Janë rrëzuar si antikushtetuese edhe gjobat deri në 10 milionë lekë për bizneset e mëdha që u gjenden mallra të padeklaruara, apo shkelje të tjera fiskale.

Mbeten në fuqi nenet që përcaktojnë se tatimorët mund t?u konfiskojnë bizneseve debitore deri 50% të xhiros ditore, gjobat për mospagimin e tatimfitimit, për mosdeklarimin e numrave IMEI të celularëve, si dhe të mashtrimit me tabelat financiare në bashkëpunim me kompanitë audituese.

Ligji i ri për procedurat tatimore, i cili parashikonte gjoba deri 90 mijë dollarë për evazion fiskal hyri në fuqi më 1 dhjetor 2015, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga komuniteti i biznesit. Ligji mbeti në fuqi për tre javë, deri më 22 dhjetor, kur Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e tij pas kërkesës së shoqatës së tregtarëve.