DURRES - Banorët e zonës së plazhit kanë protestuar për mbylljen e kryqëzimeve të unazës që lidh zonën e Plepave më Shkozetin.
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve prej disa ditësh ka nisur të mbyllë kryqëzimet që kanë qenë të hapura për banorët e zonës së Arapajt, të cilët i përdornin kryqëzimet për tu lidhur me zonën e Plazhit. Banorët kundërshtojnë këtë vendim, pasi me mbylljen e tyre nuk ka mbikalime për të kaluar rrugën banorët si dhe nxënësit që shkojnë çdo ditë në shkollë.
Mbyllja e kryqëzimeve po bëhet me trafikndarëse prej betoni, pasi në këto pika semaforët kishin dalë jashtë funksionimit prej disa muajsh.
Me parulla të ndryshme në duar, nxënësit dhe prindërit e tyre kanë kërkuar të sensibilizojnë opinionin për të mos i mbyllur kryqëzimet në këtë mënyrë. Jeta e banorëve por edhe e nxënësve të shkollës rrezikohet çdo ditë, pasi unaza ndan më mes zonën e banuar.