TIRANE - Rastet e personave që përndjekin vajza e cënojnë jetën e tyre duhet të trajtohen në spitalin psikiatrik për të kuruar çrregullimin që ata kanë brenda vetes. Në një intervistë për Report TV, sociologu Gëzim Tushi thotë se veç izolimit në spital të kategorisë së këtyre personave që njihen si "stalker" (përndjekësit), duhet të ketë edhe një ndëshkim penal të tyre.
"Për manjakët seksualë ka dy rrugë: Ose dënimi penal për shkak të cënimit të identitetit dhe sovranitetit qytetar të një femre të caktuar apo çdo njeriu të caktuar ose së dyti pastaj është spitali psikiatrik për t'i çuar dhe për t'i kuruar për të shëruar demencën që kanë" - shprehet Tushi.
Vetëm pak ditë më parë në Tiranë policia vuri në pranga një djalë që përndiqte një infermiere me këmbënguljen për të pasur një lidhje me të, edhe pse kjo e fundit refuzonte. Për sociologun Tushi, rrezikshmëria e tyre lind për shkak të problemeve me personalitetin që ata kanë.
"Ka një tendencë të shtimit të këtyre njerëzve që kanë humbur si të thuash ekuilibrat brenda vetes, por së pari duhen frenuar maniakët e seksit të cilët janë shtuar së tepërmi. Qarkullojnë rrugëve, janë nëpër autobusë, nëpër ambiente publike, tentojnë të hyjnë në shtëpitë e femrave pa asnjë njohje", - thotë Tushi.
Këshilla e sociologut për meshkujt: "Ky fenomen që ju keni evidentuar në këtë rast ka filluar të bëhet më i shpeshtë dhe kjo do të thotë që ne kemi nevojë që në shoqërinë tonë të vazhdojmë punën për edukim jo vetëm për edukimin seksual por për edukimin sentimental po për edukimin sentimental të meshkujve tanë"
Sociologu Gëzim Tushi shpjegon se "stalker" janë persona që i shohin vajzat si objekt për përmbushjen e kënaqësive të tyre të gatshme për t?iu dorëzuar dëshirave të tyre.
Gjatë vitit që lamë pas, policia ka evidentuar më tepër se 15- 20 raste të përndjekjes të denoncuara në komisariatet e Tiranës.