Shqipëria është një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane. Ky është përfundimi i raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2015.
Në raportin e DASH theksohet se gjatë vitit të kaluar autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madh droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014.
?Ky sukses i dedikohet kryesisht vazhdimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe shtimit të angazhimit të udhëheqjes politike dhe asaj të policisë. Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhues kryesor narkotikësh të tjerë, substancash kimike bazë, ose drogash sintetike?, theksohet në raportin e DASH.
Duke cituar burime nga autoritetet shqiptare theksohet se gjatë 10 muajve të parë të vitit 2015, u kapën 6.87 tonë marijuanë, u shkatërruan 689,815 bimë marijuane në një sipërfaqe prej 44 hektarësh. Autoritet po ashtu kapën 55.3 kg heroinë dhe 26.4 kg kokainë.
Raporti vjetor i DASH për narkotikët, përgatitet për Kongresin, në kuadër të ligjit për ndihmat për vendet e tjera dhe pasqyron përpjekjet e një sërë vendesh kryesore për të luftuar gjithë aspektet e trafikut të drogave.